Foto: Pas 27 vitesh identifikohen tri viktima në Zubin-Potok

Pas 27 vitesh identifikohen tri viktima në Zubin-Potok

Pas 27 vitesh, është konfirmuar identiteti i tri viktimave të luftës së Kosovës në Zubin-Potok. Viktimat ishin pjesë e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, ndërsa identifikimi u bë përmes analizës së ADN-së.

Mbetjet mortore u gjetën në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin-Potokut. Analizat kanë mundësuar konfirmimin e identiteteve të tri viktimave, duke sjellë një zhvillim të ri në kërkimet për personat e zhdukur gjatë luftës.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook. Ai njoftoi se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur është informuar për pranimin e tri raporteve të para të ADN-së nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.

Raportet lidhen me mostrat e marra nga mbetjet mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë. Identifikimi i tri viktimave u bë i mundur pas përfundimit të analizave përkatëse të ADN-së.