Pas aksidentit fatal në Llabjan, zyrtari policor ndalohet për 48 orë
Një aksident i rëndë me fatalitet ka ndodhur mbrëmjen e 28 gushtit në magjistralen Gjilan-Prishtinë, në fshatin Llabjan të Novobërdës, ku humbi jetën 63-vjeçari Halil Maliqi.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:10, afër “Viva Fresh Store”. Njëri nga dy drejtuesit e automjeteve të përfshira ishte zyrtari policor Rigon Ibrahimi, i cili dyshohet se, duke drejtuar një Volkswagen Golf, e ka goditur këmbësorin që po kalonte rrugën.
Pas goditjes, 63-vjeçari është përplasur në shiritin tjetër të rrugës. Më pas, një Volkswagen Caddy që po vinte nga drejtimi i kundërt dyshohet se e ka goditur sërish këmbësorin.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, Rigon Ibrahimi është ndaluar për 48 orë. Rasti lidhet me aksidentin në të cilin jetën e humbi Halil Maliqi.