Nën dyshimin për skema piramidale, arrestohet një person në Prishtinë
Policia e Kosovës ka arrestuar në Prishtinë një person nën dyshimin për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm. Gjatë operacionit janë sekuestruar mbi 41 mijë euro para të gatshme.
Hetimet janë zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, lidhur me veprimtarinë e dyshuar të kundërligjshme.
Pas sigurimit të urdhrit për kontroll, njësitet policore kanë kontrolluar dy lokacione në pronësi të të dyshuarit në Prishtinë. Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 41 mijë e 655 euro, 20 franga zvicerane, dy telefona, një USB dhe një laptop.
Policia ka sekuestruar gjithashtu 10 vula të ndryshme, 49 kartela gërvishtëse, një veturë dhe dëshmi të tjera që dyshohet se lidhen me rastin. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë.