BE-ja nuk jep verdikt për institucionet, vendimin e merr Gjykata Kushtetuese
Bashkimi Evropian nuk ka dhënë vlerësim nëse konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i Qeverisë së re janë zhvilluar në përputhje me Kushtetutën. Për këtë çështje, vendimin duhet ta marrë Gjykata Kushtetuese.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka deklaruar se BE-ja është në dijeni të votimeve të së dielës, të konstituimit të Kuvendit dhe të formimit të Qeverisë së re.
Sipas tij, BE-ja është në dijeni edhe për kërkesën e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e këtyre vendimeve. Zëdhënësi ka theksuar se i takon Gjykatës Kushtetuese të shprehet për këtë kërkesë.
BE-ja ka përsëritur se Kosovës i duhen institucione plotësisht të konsoliduara për t’i çuar përpara reformat dhe për të avancuar në procesin e integrimit evropian. Reagimi erdhi pasi Kuvendi u konstituua të dielën, ndërsa disa orë më vonë u votua Qeveria e re.