Dy të mitur u therën me thikë në Drenas, arrestohet një i mitur
Një rast i vrasjes në tentativë është regjistruar në rrugën “Ilaz Kodra” në Drenas, ku dy të mitur dyshohet se janë therur me thikë. Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 13:00.
Sipas njoftimit të policisë, është arrestuar një i dyshuar mashkull, i mitur, nën dyshimin se kishte therur me thikë dy persona të tjerë, po ashtu të mitur.
Dy të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. Rasti po trajtohet si vrasje në tentativë.