Foto: Ende asnjë i arrestuar për vrasjen e babait dhe të birit në Dukagjin

Ende asnjë i arrestuar për vrasjen e babait dhe të birit në Dukagjin

Asnjë person nuk është arrestuar deri tani për vrasjen e një babai dhe të birit në fshatin Mgull, në Njësinë Administrative Pult, në zonën e Dukagjinit. Policia po vazhdon kërkimet për autorin ose autorët e dyshuar.

Sipas informacioneve paraprake të Policisë, ngjarja ka ndodhur pasditen e së dielës, rreth orës 17:20. Dy persona, babë e bir, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri, ndërsa nga të shtënat ka mbetur i plagosur rëndë edhe një person tjetër, i cili është dërguar për trajtim mjekësor.

Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje janë nisur forca të Policisë Vendore dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër. Atje ka mbërritur edhe grupi i posaçëm hetimor, i cili po punon për dokumentimin e rastit dhe zbardhjen e rrethanave.