Gjashtë traktorë me dru pa dokumentacion ndalohen në Ferizaj
Gjashtë traktorë me rimorkio, të ngarkuar me masë drusore pa dokumentacionin përkatës, janë identifikuar gjatë një kontrolli të përbashkët në fshatin Dardani të Ferizajt.
Zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Ferizaj asistuan zyrtarët e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës dhe Inspektoratit të Pyjeve në kuadër të aktivitetit “Patrullim dhe kontroll i përbashkët mobil APK-Polici-Inspektorati i Pyjeve”. Kontrolli u zhvillua në tregun javor të fshatit.
Me asistimin dhe përcjelljen e policisë, mjetet u dërguan në Agjencinë e Pyjeve në Ferizaj. Aty u bë matja dhe pranimi i masës drusore të konfiskuar, ndërsa zyrtarët kompetentë të Agjencisë së Pyjeve ndërmorën procedurat e mëtejshme dhe përpiluan procesverbalet përkatëse të inspektimit.