Foto: Kriza energjetike, Gjini: Po shesim qymyr e blejmë rrymë 100 fish më shtrenjtë

Kriza energjetike, Gjini: Po shesim qymyr e blejmë rrymë 100 fish më shtrenjtë

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar ashpër politikat e qeverisë në sektorin e energjetikës, duke thënë se “po shesim qymyr e blejmë rrymë, madje 100 fish më shtrenjtë”. Ai i lidh këto zhvillime me dështimin për të siguruar prodhim të mjaftueshëm vendor të energjisë.

Gjini bëri këto komente përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ngriti pyetjen nëse Kosova dëshiron t’u ngjajë vendeve evropiane apo, siç i quajti ai, “vendeve të botës së tretë”.

Në postimin e tij, ai përmendi anulimin e projektit energjetik “Kosova C” dhe prishjen e marrëveshjes me kompaninë ContourGlobal, duke theksuar se këto vendime ndikojnë në kapacitetin për prodhimin vendor të energjisë.

Gjini tha se situata aktuale, sipas tij, tregon pasoja të drejtpërdrejta për furnizimin dhe çmimet e energjisë, ndërsa bëri thirrje për përgjegjësi politike mbi vendimet që kanë çuar në këtë gjendje.