Foto: Gjykata bllokon tjetërsimin e 68 ari tokë në zonën e Fakulteteve Teknike

Gjykata bllokon tjetërsimin e 68 ari tokë në zonën e Fakulteteve Teknike

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masë sigurie mbi një ngastër kadastrale prej 68 ari në zonën e Fakulteteve Teknike, duke bllokuar çdo veprim që mund të çojë në tjetërsimin e pronës.

Vendimi është marrë më 24 gusht 2026, pasi gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Masa e sigurisë ndalon shitjen, bartjen, dhurimin, ngarkimin me barrë dhe dhënien në shfrytëzim të parcelës. Po ashtu, ndalohet ndryshimi i gjendjes faktike ose tjetërsimi i pronës në çfarëdo forme.

Prona është komunale dhe ndodhet në shfrytëzim të përhershëm të Universitetit të Prishtinës. Sipas Universitetit, mbi këtë pronë prej vitesh janë ngritur pretendime nga persona privatë.

Universiteti i Prishtinës ka deklaruar gjithashtu se ndaj tij janë paraqitur kërkesa financiare në vlera milionëshe për pagesën e qirasë së hapësirës, të cilën e konsideron të shfrytëzuar ligjërisht për veprimtarinë akademike.