Foto: Glauk Konjufca del sot para gjykatës për rastin e gazit lotsjellës

Glauk Konjufca del sot para gjykatës për rastin e gazit lotsjellës

Glauk Konjufca do të dalë sot para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku nis rigjykimi ndaj tij për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Seanca është caktuar të mbahet në orën 09:30. Konjufca, i cili është ministër në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pritet të paraqitet para gjykatës në këtë proces gjyqësor.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 26 shkurt 2024, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj tij. Vendimi ishte arsyetuar me faktin se nuk ishte provuar se Konjufca kishte kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, gjykata kishte konstatuar se kishte arritur parashkrimi dhe e kishte refuzuar akuzën.

Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte prishur vendimin e Gjykatës Themelore dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim. Aktakuza ndaj Konjufcës ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 3 shkurt 2017.