Hamza thërret për marsh më 12 shtator në Prishtinë para vendimit të Hagës
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë thirrje që qytetarët të bashkohen në “Marshin për Liri” më 12 shtator në Prishtinë, duke thënë se Kosova duhet t’i mbrojë të vërtetën e saj dhe duke kërkuar mobilizim përpara vendimit në Hagë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, të cilit ia bashkëngjiti edhe një video, Hamza shkroi: “Kosova po pret. Po pret 16 shtatorin. Po pret të shohë se cili do të jetë vendimi në Hagë”.
Ai bëri thirrje që marshimi të jetë në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë dhe theksoi se pjesëmarrja duhet të jetë përtej dallimeve politike.
Data e marshit dhe pritja për vendimin e 16 shtatorit bëjnë që thirrja e Hamzës të konsiderohet si një ftesë për mobilizim politik dhe publik në kryeqytet në ditët në vijim.