Hoça e Qytetit prej dy muajsh pa ujë, banorët blejnë me cisterna
Banorët e fshatit Hoçë e Qytetit në Prizren po përballen me mungesë të vazhdueshme të ujit të pijshëm, një gjendje që, sipas një banori, po zgjat prej rreth dy muajsh. Furnizimi mungon për ditë të tëra, ndërsa kur uji lëshohet, ai zgjat vetëm për pak kohë.
Sipas banorit, uji vjen zakonisht në orët e mëngjesit dhe furnizimi zgjat rreth gjysmë ore, para se të ndërpritet sërish. Për shkak të kësaj situate, disa lagje të fshatit janë detyruar të blejnë ujë me cisterna për t’i përmbushur nevojat më elementare.
Banorët kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që të ndërhyjnë dhe t’i japin zgjidhje problemit me furnizimin me ujë. Ata thonë se mungesa e ujit të pijshëm po ua vështirëson përditshmërinë.