IPK rekomandon suspendimin e dy policëve në Veri pas pretendimeve për rrahje
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, të dyshuar se e rrahën një qytetar serb.
IPK bën të ditur se disa ditë më parë ka nisur, sipas detyrës zyrtare, një hetim paraprak për verifikimin e pretendimeve dhe sqarimin e të gjitha rrethanave lidhur me veprimet policore gjatë një operacioni të zhvilluar në fshatin Dren të Zubin Potokut.
Hetimi paraprak filloi pas raportimeve mediale dhe deklaratave publike më 11 gusht, që përmendnin pretendimet e një qytetari me inicialet N. R.; pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, IPK rekomandoi suspendimin e dy zyrtarëve si masë procedurale.
Inspektorati tha se hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe veprimeve të zyrtarëve të përfshirë.