Foto: IQMT aksion në tri rajone ndaj udhërrëfyesve turistikë pa licencë

IQMT aksion në tri rajone ndaj udhërrëfyesve turistikë pa licencë

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka nisur aksion ndaj udhërrëfyesve turistikë pa licencë, ndërsa gjobat për shkelësit mund të arrijnë deri në 9 mijë euro.

Sipas IQMT-së, kontrollet janë zhvilluar gjatë ditës në rajonet e Prizrenit, Prishtinës dhe Obiliqit. Ato kanë për qëllim evidentimin dhe parandalimin e ushtrimit të paligjshëm të veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë.

Inspektorati ka intensifikuar mbikëqyrjen ndaj personave që ofrojnë shërbime turistike pa licencën e nevojshme. Në kuadër të kontrolleve është shqyrtuar edhe angazhimi i udhërrëfyesve jo-vendas nga kompani të ndryshme turistike të vendeve të rajonit.

IQMT-ja ka bërë të ditur se udhërrëfyesit jo-vendas që veprojnë pa licencë janë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Masat e parapara për këtë shkelje përfshijnë gjoba deri në 9 mijë euro.