Ish-e burgosura dëshmon për torturat e pretenduara në burgun e Lipjanit
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ish-e burgosura Zahrije Podrimqaku dëshmoi për torturat që, sipas deklarimit të saj, kishte përjetuar gjatë kohës së burgosjes në burgun e Lipjanit, në vitet 1998 dhe 1999.
Dëshmia u dha në gjykimin ndaj Nadica Cepkenoviqit, e cila akuzohet se, në cilësinë e gardianes në burgun e Prishtinës, në paralelen për gra në Lipjan, ka kryer krime lufte.
Podrimqaku tha se dhimbjet ishin aq të mëdha sa të burgosurat ishin në gjendje të gërrisnin murin. “Ishim në gjendje ta gërrisnim murin prej dhimbjeve të mëdha”, deklaroi ajo gjatë dëshmisë.
Ajo e përshkroi gjendjen e përjetuar në burg si të tmerrshme dhe tha se pasojat e asaj përvoje vazhdojnë t’i ndiejë edhe sot.