Kthehet nga Beogradi për babanë në Dragash, e gjen të vdekur
Një burrë është gjetur pa shenja jete brenda shtëpisë së tij në fshatin Krstec të Dragashit, në një ngjarje të rëndë të regjistruar mëngjesin e së shtunës.
Viktima është identifikuar si Ismail Sulejmani, 73-vjeçar, i cili jetonte i vetëm në shtëpinë e tij.
Rastin e zbuloi djali i tij, i cili ishte kthyer nga Beogradi për ta vizituar të atin. Me të hyrë në shtëpi, ai e gjeti babanë të shtrirë në krevat, pa shenja jete.
Sipas deklarimit të tij në Polici, djali kishte arritur në shtëpinë e familjes rreth orës 07:00. Më pas, rreth orës 08:15, ai e raportoi rastin në Stacionin Policor në Dragash.
Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, ku janë angazhuar edhe hetuesit dhe forenzika për të dokumentuar rastin.