Ligjet u ndryshuan, por siguria e grave mbetet në pikëpyetje

Një grua shtatzënë, 25 vjeçe, u vra më 24 gusht në Malishevë, ndërsa për vrasjen dyshohet bashkëshorti i saj.

Rasti i fundit vjen gati katër vjet pas vrasjes së një gruaje tjetër shtatzënë, 35-vjeçare, në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Edhe në atë rast, për vrasjen dyshohej bashkëshorti.

Vrasja e vitit 2022 nxiti protesta dhe ushtroi presion mbi institucionet për ndryshimin e mënyrës së trajtimit dhe parandalimit të rasteve të dhunës ndaj grave.

Në vitet pasuese u ndryshuan ligjet, u shkurtuan afatet për hetimin dhe gjykimin e rasteve të dhunës në familje, ndërsa u investuan 600 mijë euro në një sistem elektronik për mbikëqyrjen e personave ndaj të cilëve gjykatat vendosin masa të tilla.

Megjithatë, vrasja e 24 gushtit në Malishevë e rikthen në qendër pyetjen se sa kanë ndryshuar këto masa sigurinë e grave në praktikë.