Mbi 2 kilogramë marihuanë zbulohen në çantën e një udhëtari në Vërmicë
Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit të substancave narkotike në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, ku në çantën e një udhëtari u zbuluan 2.162 kilogramë marihuanë.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, zyrtarët ndaluan për kontroll fizik një autobus me udhëtarë që po hynte në territorin e Kosovës. Gjatë kontrollit të automjetit dhe bagazheve, ata ekzaminuan edhe çantën e krahut të njërit prej udhëtarëve.
Në çantë u gjet një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike. Pas peshimit, u konstatua se bëhej fjalë për 2.162 kilogramë marihuanë, ndërsa rasti u parandalua në bashkëpunim mes zyrtarëve doganorë dhe Policisë së Kosovës.