Në Mitrovicë kërkohet paraburgim për tre të dyshuar për ryshfet
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit ndaj tre personave të dyshuar për ryshfet në provimet për patentë-shofer.
Të dyshuarit me inicialet H.K., A.G. dhe E.G. dyshohet se kanë kryer veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”. Kërkesa është paraqitur nga Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Sipas dyshimit të Prokurorisë, më 6 shkurt 2026, në objektin e Stacionit të Autobusëve në Mitrovicë, H.K., instruktor i një autoshkolle, dhe A.G., ish-instruktor i saj, kanë pranuar shuma të panjohura parash për t’ia mundësuar një kandidateje kalimin e testit teorik për patentë-shofer.
Prokuroria dyshon se kandidates K.K. i ishte vendosur në rroba një pajisje elektronike, përkatësisht kamerë, si dhe një kufje në vesh. Përmes kësaj pajisjeje, sipas dyshimeve të paraqitura në kërkesë, asaj dyshohet se iu treguan përgjigjet e sakta gjatë testit.