Pesë furgonë dhe një kamion konfiskohen për transport drunjsh në Ferizaj
Pesë furgonë dhe një kamion janë ndaluar dhe konfiskuar në Ferizaj, pasi dyshohet se po transportonin dru pa dokumentacionin e nevojshëm. Aksioni u zhvillua në kuadër të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2026”.
Kontrollet u ndërmorën nga njësitet policore në rajonin e Ferizajt, me qëllim parandalimin dhe luftimin e prerjes dhe transportit të kundërligjshëm të masës drusore.
Për rastet janë informuar zyrtarët kompetentë të Agjencisë së Pylltarisë së Kosovës, të cilët pritet të ndërmarrin veprimet e mëtejshme në përputhje me kompetencat dhe legjislacionin në fuqi.
Policia ka konfiskuar edhe masën drusore që dyshohet se po transportohej në mënyrë të kundërligjshme. Kontrollet dhe veprimet operative do të vazhdojnë në kuadër të planit për mbrojtjen e pasurisë pyjore.