Foto: Policia e Kosovës realizon dy ekstradime brenda një dite

Policia e Kosovës realizon dy ekstradime brenda një dite

Policia e Kosovës ka realizuar dy ekstradime brenda një dite, më 26 gusht, në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë dhe autoritetet përkatëse ndërkombëtare.

Sipas njoftimit të Policisë, një shtetas kosovar me inicialet G.K. është ekstraduar nga Maqedonia e Veriut në Kosovë. Ai kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar dhe ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv për vjedhje të rëndë dhe mbajtje, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Ekstradimi i G.K. është realizuar në pikëkalimin kufitar “Hani i Elezit”, ku ai u është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në Prizren për procedurat e mëtejshme ligjore.

Po atë ditë, nga Kosova për në Gjermani është ekstraduar edhe një shtetas gjerman me inicialet F.R. Ai kërkohej nga autoritetet gjermane për trafikim droge.

Operacionet janë zhvilluar përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.