Foto: Në Prishtinë tentoi të shiste pronën e AKP-së, dënohet me 6 vjet burg

Në Prishtinë tentoi të shiste pronën e AKP-së, dënohet me 6 vjet burg

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Sh.B., i cili tentoi të shiste për 800 mijë euro një pronë nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me dokumente të falsifikuara.

Sipas vendimit të gjykatës, Sh.B. është dënuar me gjashtë vjet burgim dhe me gjobë prej 2 mijë eurosh. Ai u shpall fajtor për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit.

Në komunikatën e gjykatës thuhet se prona në Prishtinë ishte ofruar për shitje në shumën prej 800 mijë eurosh. Dokumentet për këtë pronë, e cila ishte nën menaxhimin e AKP-së, ishin falsifikuar përmes akteve noteriale.

Gjykata ka bërë të ditur se, sipas aktakuzës dhe komunikatës së saj, Sh.B. kishte tentuar ta vinte në lajthim të dëmtuarin A.H. përmes paraqitjes së rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.