Shasivari për 16 shtatorin: Vendimin për ish-krerët e UÇK-së ta japë gjykata

Ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shasivari, ka kërkuar që vendimi i paralajmëruar për 16 shtatorin ndaj ish-krerëve të UÇK-së të lihet në duart e gjykatës, pa ndikim nga politika, emocionet apo reagimet në rrugë.

Shasivari, i emëruar në këtë detyrë nga partia shqiptare në pushtet VLEN, e ka bërë deklaratën përmes një postimi në Facebook. Ai ka thënë se për fajësinë ose pafajësinë duhet të vendosë vetëm gjykata, mbi bazën e ligjit dhe provave.

Në të njëjtin postim, ministri ka vendosur në të njëjtin rrafsh krimet e kryera nga forcat serbe ndaj civilëve në Kosovë dhe pretendimet për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Mesazhin e tij e ka titulluar “Mesazh për Kosovën: Drejtësia nuk ka anë politike”. Shasivari ka theksuar se vendimi duhet të respektohet, pavarësisht nëse përmbajtja e tij sjell fajësi apo pafajësi për të akuzuarit.