Tre kosovarë nga Gjakova arrestohen në Durrës, kapet 80 kg ‘Gelato’ me vlerë rreth 1 milion euro
Tre kosovarë nga Gjakova u arrestuan në Durrës pas sekuestrimit të 80 kilogramëve lënde narkotike të dyshuar ‘Gelato’, me vlerë në treg rreth 1 milion euro. Policia e Shtetit publikoi pamje nga operacioni ‘Anchor’, që, sipas njoftimeve, goditi një rrjet trafikimi që solli lëndën nga Kanadaja drejt Shqipërisë e më pas drejt Kosovës.
Në portin e Durrësit u sekuestruan 127 pako me lëndë të dyshuar kanabis, e njohur në treg si ‘Gelato’, me përmbajtje të lartë THC dhe peshë totale rreth 80 kilogramë; vlera e përllogaritur shkon rreth 1 milion euro.
Pamjet e operacionit treguan fazat e aksionit dhe lidhjen e ngarkesës me rrugën ndërkombëtare të trafikimit nga Kanadaja përmes Shqipërisë e më pas në Kosovë. Autoritetet kanë publikuar informacionet kryesore ndërsa hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.