Foto: Prindërit kundërshtojnë ndryshimin e mësueseve pas tri javësh në Gjakovë

Prindërit kundërshtojnë ndryshimin e mësueseve pas tri javësh në Gjakovë

Prindërit e nxënësve të klasave të para në SHFMU “Mustafa Bakija” në Gjakovë kanë kundërshtuar ndryshimin e mësueseve vetëm tri javë pas fillimit të vitit shkollor. Për nesër, ata kanë paralajmëruar edhe protestë lidhur me këtë vendim.

Sipas një ankese të dërguar nga një prind, vendimi u është komunikuar familjeve vetëm një ditë para se të zbatohej. Kjo ka ngritur pikëpyetje te prindërit për arsyen e ndryshimit, mënyrën e marrjes së vendimit dhe ndikimin që ai mund të ketë te fëmijët.

Prindërit kanë shprehur shqetësim për ndryshimin e mësueseve në një fazë të hershme të vitit shkollor, kur nxënësit po përballen me përshtatjen ndaj mjedisit të ri. Protesta e paralajmëruar pritet të zhvillohet nesër, ndërsa kërkesa e tyre lidhet me sqarimin e vendimit dhe të procedurës së ndjekur.